Logo
Fillimi Kush jemi Kontakt
 
 
Shqip | English
----------Linqe------------
 
Na kontaktoni
Doktrina
 


Doktrina bazë e Kishës “Fjala e Jetës”.
Kisha e njeh Biblën si vullnetin e zbuluar të Perëndisë dhe pranon këto deklarata të së vërtetës dhe doktrinës bazë: 

1. Bibla është fjala e frymëzuar prej Perëndisë dhe vullneti i Tij i shfaqur. (2 Tim.3:15-17, 1Pjet.1:23-25, Heb.4:12). 

2.  Ekziston vetëm një Perëndi i vërtetë që përbëhet nga Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë të cilët janë të barabartë dhe të përjetshëm. (Mat.28:19; 1 Gjon. 5:7). Jezus Krishti është Perëndia i shfaqur në mish; Ai është personi i dytë i Trinisë.  (Isaia 9:6; Gjon. 1:1,14). 

3.  Njeriu është krijuar në imazhin e Perëndisë.  Me anë të një veprimi prej vullneti të lirë, njeriu ra në mëkat dhe shpresa e tij e vetme për shpengim është në Krishtin Jezus, Birin e Perëndisë.  (Zan.1:26, 3:1-7, Rom. 5:12-21). 

4.  Shpëtimi i njeriut:
a-  Shpresa e vetme e njeriut për shpengim është përmes gjakut të derdhur të Jezus Krishtit.  Në kryq, Jezusi u bë një me mëkatin dhe sëmundjen dhe e bëri shpëtimin dhe shërimin të mundur për gjithë njerëzimin.  (Isa. 53:4-5; Mat.8:16-17).  Ky shpëtim vjen kur ti beson në zemrën tënde që Perëndia e ringjalli Jezusin nga vdekja dhe të pohosh me gojën tënde që Jezusi është Zot. (Rom.3:24; 10:8-10, Efes.2:8). 
b- Shenja e brendshme për besimtarin është dëshmia e drejtpërdrejtë e Frymës së Shenjtë.  (Rom.8:16).  Shenja e jashtme për besimtarin është një jetë në shenjtëri dhe dashuri të vërtetë.  (Gjon. 3:23; Gjon. 13:35). 
c-  Shpëtimi ndodh me anë të besimit në Jezus Krishtin dhe jo përmes veprave njerëzore.  Por vepra e besimit do të ketë një shpërblim në përjetësi.  (Rom.10:9-10; 14:10-12; 2Kor.9-10; Tit.3:5-7; Jak.2:18). 

5.  Pagëzimi në ujë nënkupton që besimtari ka vdekur me Jezus Krishtin dhe është ringjallur së bashku me Të për të ecur në risinë e jetës.  (Mat.28:18-20, Act.10:47-48, Rom.6:4).

6.  Marrja e Darkës së Zotit në ngrënien e bukës dhe pirjen e kupës është në kujtim të trupit dhe gjakut të Zotit. (1Kor.11:24-30).

7.  Të gjithë besimtarët kanë të drejtën dhe nevojën që me zell të kërkojnë pagëzimin e Frymës së Shenjtë të premtuar prej Atit në përputhje me urdhëresën e Jezusit.  Me këtë vjen marrja e fuqisë për jetën dhe shërbesën duke përfshirë dhuratat frymërore dhe përdorimin e tyre në shërbesë për Perëndinë.  Pagëzimi, zakonisht vjen pas eksperiencës së rilindjes.  (Luk.24:49, Vep.1:4-8, 2:38-39, 10:44-46, 11:14-16, 15:7-9, 1Kor.12:1-31).  Një shenjë e pagëzimit në Frymën e Shenjtë është të flasësh në gjuhë të panjohura siç Fryma na drejton, gjithashtu për të marrë fuqi për të dëshmuar dhe për shërbesë. (Vep.1:8, 2:4, 10:44-46, Vep 19:2-6). 

8.  Kisha është trupi i Krishtit.  Çdo besimtar është një anëtar.  (Efes.1:22, 2:13 -22, Heb.12:23). 
Misioni i Kishës : Predikimi i Ungjillit (Marku 16:15-18)
: Dishepullizimi i besimtarëve (Mateu 28:18-20

 

 

Vlerat ku ne besojme
 


Vlerat tona janë parimet drejtuese të cilat i konsiderojmë të jenë të rëndësishme në mirëfunksionimin e kishës, dhe që ndikojnë në procesin e marrjes së vendimeve në kishë. Këto vlera janë themeli përcaktues i çdo gjëje që bëjmë dhe pranojmë në shërbesë.
Këtu më poshtë janë shkruar parimet që ne i vlerësojmë shumë:

Jezus Krishti është Zot mbi të gjithë: ne kërkojmë të nderojmë Jezus Krishtin si Kreun e Kishës së Tij këtu në tokë. Synimi ynë është që vullneti i Tij të jetë gjëja parësore në jetën tonë dhe gjithashtu kërkojmë t’i pëlqejmë Atij në gjithçka që bëjmë.

Fjala e Perëndisë: ne pohojmë Shkrimet si zbulesa më e lartë e së vërtetës dhe mençurisë së Perëndisë. Për këtë arsye ne konsiderojmë si gjënë më të rëndësishme të ndjekim këshillat dhe drejtimet e Biblës në të gjitha çështjet e besimit, të sjelljes sonë personale dhe jetës në bashkësi.

Hiri dhe besimi: ne pranojmë që hiri i Perëndisë, i dhënë falas, është plotësisht i mjaftueshëm për çdo nevojë të çfarëdo lloji dhe për çdo përparim frymëror. Ne theksojmë që për ta përvehtësuar këtë hir kërkohet nga ana jonë një qëndrim pozitiv i besimit, i shprehur në vartësi të përulësisë, pritje të sigurtë dhe veprim bindjeje me respekt ndaj të gjitha premtimeve dhe kushteve të vendosura në Fjalën e Perëndisë.

Fryma e Shenjtë: ne kërkojmë që të mbushemi me Frymën e Shenjtë dhe të mbështetemi në Të në çdo pikë të jetës dhe shërbesës sonë. Synimi ynë është që të jemi të ndjeshëm ndaj lëvizjes së Frymës së Shenjtë, të drejtohemi nga Fryma dhe të shfaqim frytet e Frymës. Ne e vlerësojmë vajosjen e Frymës së Shenjtë në jetën tonë, veprimin e dhuratave të Frymës dhe demonstrimin e fuqisë së Frymës në shërim, shenja dhe mrekulli.

Lutja: ne besojmë që është shumë e rëndësishme të kemi një jetë lutjeje. Lutja është mënyra kryesore e komunikimit me Perëndinë, e përjetimit të hirit të Tij dhe njohjes së vullnetit të Tij. Ajo është mënyra më e rëndësishme me anë të së cilës ne bashkëpunojmë me Perëndinë në arritjen e qëllimeve të Tij. Lutja formon themelin për të gjitha vendimet dhe veprimet në bashkësi.

Ndershmëria: ne kërkojmë të jetojmë me drejtësi para Perëndisë dhe të veprojmë në mënyrë të ndershme me njerëzit. Synimi ynë është që të ecim në dritë me njeri tjetrin, të jemi të hapur për korrigjim, të përqafojmë të vërtetën dhe të kërkojmë paqe në kohë keqkuptimesh.

Kujdesi dhe inkurajimi: ne vlerësojmë shumë të gjithë vëllezërit dhe motrat në trupin e Krishtit dhe duam të pranojmë përgjegjësitë e marrëdhënieve që kemi me njeri tjetrin. Synimi ynë është të bekojmë, ndërtojmë dhe inkurajojmë njëri tjetrin përmes lutjes sonë, bisedave tona dhe miqësisë sonë. Kjo realizohet duke demonstruar dashurinë në shërbim praktik me kohën tonë, talentet dhe financat sipas nevojës dhe mundësisë.

Autoriteti shërbyes: ne pranojmë që çdo person i cili shërben në bashkësi ushtron autoritet frymërorë në ndonjë nivel. Ne e kosiderojmë si shumë të rëndësishme që autoriteti të ushtrohet në një qëndrim përulësie dhe shërbimi ndaj të tjerëve që të mund të prodhojë besim dhe bindje ndaj Fjalës së Zotit dhe që asnjëherë të mos sundojë dhe manipulojë, por të nxjerr në dritë shembullin vetmohues të Jezusit, t’i motivojë të tjerët që të ndajnë barrën në punën e Perëndisë.

Administrim me përgjegjësi: ne besojmë që gjithçka që kemi na është dhënë nga Perëndia. Si administratorë të bollëkut që Perëndia na jep, ne përpiqemi që të merremi me financat me përgjegjësi dhe me mençuri, duke i dhënë Perëndisë të dhjetat tona dhe ofertat tona me gëzim. Qëllimi ynë është që të jemi dorëdhënë në çdo situatë ku shohim se Perëndia dëshiron të mbështesim punën dhe popullin e Tij.

Dishepullizimi: ne e pranojmë që jemi të thirrur të jemi dishepujt e Jezusit dhe që gjithashtu jemi thirrur të bëjmë dishepuj të tjerë. Si dishepuj (ndjekës apo nxënës) ne jemi të përkushtuar ndaj procesit që na mëson t’i bindemi Krishtit, të ecim në rrugët e Tij dhe të bëjmë veprat e Tij.

Trupi i Krishtit: ne respektojmë të gjithë ata që i përkasin Krishtit pavarësisht nga përkatësia e tyre denominacionale. Ne vlerësojmë punën e Perëndisë në bashkësitë e tjera dhe synojmë të veprojmë në mënyra që nderojnë të tjerët, duke konfirmuar unitetin themelor të trupit të Krishtit.

Dinjiteti njerëzor: ne kemi respekt të lartë për secilin person si krijesë në imazhin e Perëndisë. Mashkull apo femër, i ri ose i vjetër, i martuar ose beqar, të çfarëdo ngjyre, preardhje ose pozite në jetë, i shëndetshëm apo i sëmurë, lindur ose palindur, ne kërkojmë të nderojmë dinjitetin e jetës njerëzore. Ne kërkojmë të përkrahim plotësinë personale në çdo fushë të jetës njerëzore dhe që të lehtësojmë vuajtjet dhe padrejtësinë përmes dashurisë së Perëndisë.

Jeta familjare: ne theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale biblike, ku martesa është themeluar nga Perëndia me qëllim që të formojë bazën e një shoqërie të qëndrueshme. Ne kemi vlerësim të lartë për shenjtëri në martesë dhe që betimet e martesës të nderohen me besnikëri, që marrëdhënia midis burrit dhe gruas të reflektojnë rregullin e Perëndisë dhe të karakterizohet nga dashuria, respekti dhe harmonia. Ne dëshirojmë të krijohen kushte që fëmijët të rriten në një mjedis të sigurt ku ka disiplinë dhe mësim me dashuri dhe besim.

Ungjilli i pajtimit: ne e pranojmë përgjegjësinë tonë që të ndajmë mesazhin e shpëtimit me ata që janë rreth nesh në vendin ku ndodhemi ose edhe më larg, varësisht nga drejtimi i Perëndisë. Qëllimi ynë është ta komunikojmë ungjillin me qartësi dhe në një mënyrë që i përshtatet kohës në të cilën jetojmë. Ne duam t’i arrijmë të humburit duke qenë vetë të mbushur me dashurinë dhe Frymën e Tij.

Të gjitha këto vlera ne i konsiderojmë si privilegje dhe përgjegjësi për çdo besimtar të kishës “Fjala e Jetës”. Ne presim që secili prej nesh t’i përmbahet këtyre vlerave në jetën e tij/saj personale.

 

Qellimet tona
 


Qëllimi specifik i bashkësisë është që ne të rritemi:

Më fortë përmes Fjalës së Perëndisë. Ne synojmë që të sigurojmë mësim të rregullt në Fjalën e Perëndisë dhe të inkurajojmë studime biblike në përgjithësi në mënyrë që të mund të rritemi në njohurinë e Perëndisë dhe të zhvillojmë një jetë të shëndetshme dhe fitimtare të besimit.

Më thellë përmes adhurimit dhe lutjes. Ne synojmë që të vendosim si një gjë parësore adhurimin dhe lutjen në Frymën e Shenjtë në të gjitha takimet e bashkësisë, me krijimtari muzikore dhe liri të duhur të shprehjes, me një përqëndrim të perëndishëm duke e lartësuar Atë dhe duke thirrur në emrin e Tij. Ne kërkojmë që të kultivojmë një mirënjohje ndaj pranisë së Perëndisë dhe të jemi të ndjeshëm ndaj lëvizjes së Frymës së Shenjtë.

Më ngrohtë përmes miqësisë dashamirëse. Ne synojmë të sigurojmë kujdes pastoral, drejtim dhe mbështetje në lutje për njerëzit e Perëndisë, dhe të ushqejmë një komunitet të dashur ku të gjithë ndajnë përgjegjësitë dhe përfitimet e jetës në bashkësi, në mënyrë që të gjitha nevojat të plotësohen- shpirtërore, emocionale, shoqërore dhe praktike. Kjo për më tepër do të arrihet përmes grupeve qelizore.(Vep 2:41-47)

Më gjerë përmes shërbimit të secilit anëtarë. Ne synojmë të inkurajojmë secilin anëtar që të dallojë dhe zhvillojë dhuratat dhe aftësitë që i janë dhënë nga Perëndia, qoftë të natyrshme ose frymërore. Ne synojmë të krijojmë një karakter dishepullimi në tërë kishën përmes grupeve qelizore dhe të sigurojmë çfarëdolloj trajnimi të nevojshëm (Shkolla e Shërbesës) për t’i pajisur njerëzit dhe çliruar ata në punët shërbesore në të cilat i ka thirrur Perëndia.

Më shumë përmes ungjillizimit. Ne synojmë që të ungjillizojmë në mënyrë aktive dhe shpërndajmë ungjillin me çdo mënyrë të mundshme, dhe të dishepullojmë besimtarët e rinj në rrugën e Perëndisë. Ne synojmë të bëhemi një Kishë e madhe dhe ndikuese, e bazuar në Tiranë dhe që të ndikojë me ungjillin në tërë kombin shqiptar brenda dhe jashtë kufijve shtetëror. Ne kërkojmë që Perëndia të derdh Frymën e Tij në fuqi, në kishën lokale si dhe në tërë kombin tonë. Një synim afatgjatë është përgatitja dhe dërgimi i misionarëve nga kjo kishë në kombe të tjera.

 

 © Kisha ungjillore "Fjala e Jetes" Website nga HOST TEAM